“Të çohemi kundër barbarisë”/ Lapaj nga Lezha: Sot vidhen miliona me një mesazh

Data

Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka zhvilluar një takim me strukturat e partisë në Lezhë, ku ka mbajtur një fjalim të ashpër kundër qeverisjes dhe korrupsionit.

Lapaj solli në vëmendje ngjarje të rënda nga e shkuara, duke bërë një krahasim të fortë mes asaj që ndodhte dikur dhe realitetit të sotëm. Sipas tij, në bulevard u vranë katër persona për 700 mijë euro, ndërsa sot, pa asnjë reagim, zhduken dhjetëra miliona euro me një mesazh.

“Për 700 mijë euro u dogj Tirana dhe u vranë katër njerëz. Sot, 53 milionë euro vidhen me një mesazh. Kjo është barbaria që po na vret shpresën çdo ditë”, u shpreh Lapaj.

Ai bëri thirrje për reagim qytetar dhe pjesëmarrje masive në protestën e paralajmëruar më 31 janar përballë Kryeministrisë, duke theksuar se përballja me këtë realitet nuk është më zgjedhje, por domosdoshmëri.

Lapaj theksoi se vendi po zbrazet nga njerëzit, shkollat po mbeten pa nxënës, fushat pa punëtorë dhe familjet pa fëmijë, ndërsa Shqipëria, sipas tij, nuk mund të reduktohet në disa resorte luksoze për pak njerëz.

“Kjo nuk është Shqipëria e shumicës. Të gjithë e dimë që këta vjedhin dhe po e bëjnë vendin të pajetueshëm. Është koha të çohemi në këmbë kundër kësaj barbarie”, përfundoi Lapaj.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related