Gjykata e Elbasanit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për tre persona të akuzuar për furnizimin me lëndë narkotike të të dënuarve dhe të paraburgosurve në Burgun e Elbasanit.
Në qendër të çështjes është punonjësi i Policisë së Burgjeve, Ndriçim Kroi, i cili shërbente pranë IEVP Bradashesh dhe akuzohet se, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, siguronte dhe fuste drogë brenda qelive. Sipas hetimeve, ai vepronte i koordinuar me Esmeralda Komici, familjare e një të paraburgosuri, si dhe me Gerald Stamolla, i cili ndodhej vetë në paraburgim në IEVP Elbasan.
Seanca për verifikimin e masës së sigurisë u zhvillua më 24 janar 2026 dhe u drejtua nga gjyqtarja Suela Lika. Trupa gjykuese vlerësoi se ekzistojnë kushtet ligjore për vijimin e masës “arrest në burg” për të tre personat, duke argumentuar se rreziku i prishjes së provave dhe i përsëritjes së veprës penale mbetet i lartë.
Sipas vendimit të gjykatës, të tre të hetuarit do të qëndrojnë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, në dispozicion të organit të akuzës, ndërsa Prokuroria e Elbasanit është ngarkuar me ndjekjen e mëtejshme të çështjes.
Hetimet kanë zbuluar se futja e lëndës narkotike realizohej përmes bashkëpunimit mes efektivit të burgut dhe personave jashtë dhe brenda institucionit, duke cenuar rëndë sigurinë dhe integritetin e sistemit penitenciar.
Vendimi i gjykatës mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda afatit ligjor prej 5 ditësh.
