Gazeta amerikane New York Times i ka kushtuar vëmendje një prej projekteve më të reklamuara të qeverisë shqiptare, ministres së Inteligjencës Artificiale të quajtur “Diella”, e promovuar si simbol i transparencës dhe luftës kundër korrupsionit në kuadër të integrimit europian.
Sipas shkrimit, projekti që synonte të monitoronte prokurimet publike dhe të kufizonte abuzimet me fondet shtetërore po përballet me një paradoks të fortë: drejtues të institucionit shtetëror që zhvilloi dhe administron platformën janë vënë nën hetim për manipulim tenderash. Dy zyrtare të larta janë aktualisht në masë “arrest shtëpie”, ndërsa hetimet vijojnë pa akuza formale deri në këtë fazë.
Artikulli thekson se, pavarësisht përpjekjeve për reforma dhe digjitalizim, korrupsioni mbetet një problem i thellë dhe i përhapur në Shqipëri. Rasti i “Diellës” shihet si shembull i kontrastit mes retorikës zyrtare për transparencë dhe realitetit të institucioneve publike.
Në fokus vihet edhe situata politike e krijuar nga hetimet ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, të cilat sipas gazetës janë shndërruar në një presion serioz për kryeministrin Edi Rama. Kërkesat për heqjen e imunitetit të saj dhe protestat e opozitës kanë rritur tensionin politik në vend.
Sipas analizës, kryeministri ka shmangur komentet direkte mbi këto çështje, ndërsa kundërshtimet politike dhe akuzat për korrupsion janë intensifikuar. Megjithatë, fakti që hetimet ndaj institucioneve dhe zyrtarëve po vijojnë pa ndërhyrje të dukshme politike, vlerësohet nga disa ekspertë si një sinjal pozitiv për pavarësinë e drejtësisë.
Shkrimi përmbyllet me vlerësimin se ndikimi real i “Diellës” në uljen e korrupsionit mbetet i paqartë, ndërsa rasti ngre pikëpyetje të forta mbi përdorimin e teknologjisë si fasadë reformash, në një sistem ende të brishtë përballë abuzimit me pushtetin.
