Deputeti socialist Erion Braçe ka “zbutur” tonet në Kuvend gjatë diskutimit për aktin normativ të rishpërndarjes së buxhetit 2025, duke vlerësuar disa aspekte pozitive të tij, veçanërisht mbështetjen për shtresat në nevojë dhe personat me aftësi ndryshe.
Braçe theksoi se ekonomia vijon të zgjerohet, me pritshmëri rritjeje deri në 3.9% për vitin 2025 dhe inflacion të ulët, por ngriti shqetësime serioze për sektorë kyç si bujqësia dhe industria, të cilët sipas tij po shënojnë rënie të vazhdueshme.
Duke u ndalur te bujqësia, Braçe ironizoi mungesën e ministrit përgjegjës në sallë, duke thënë se edhe herën e rrallë që donte ta lavdëronte, ai nuk ishte i pranishëm. Megjithatë, deputeti shprehu kënaqësi që fondet për bujqësinë janë shtuar dhe janë realizuar plotësisht, duke theksuar se tashmë mbetet që pagesat të shkojnë realisht te fermerët.
Nga ana tjetër, Braçe kërkoi dëmshpërblim të menjëhershëm për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, duke përmendur përmbytjet dhe ngricat që kanë goditur zona si Gramshi, Delvina, Shkodra, Oboti, Zadrima dhe Durrësi, duke shkaktuar humbje të mëdha për fermerët.
Në përgjigje, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, deklaroi se strukturat e qeverisë dhe pushtetit vendor janë në terren për evidentimin e dëmeve, ndërsa procesi i vlerësimit dhe kompensimit është në vijim.
