“Ky është varr për Vlorën” – Banorët shpërthejnë kundër shkrirjes së Kadastrës

Data

Vendimi për zhvendosjen e Kadastrës së Vlorës drejt Tiranës ka shkaktuar revoltë të fortë mes banorëve, të cilët paralajmërojnë pasoja të rënda për qytetin dhe për çështjet e pronësisë që prej vitesh mbeten të pazgjidhura.

Të mbledhur para institucionit, qytetarët shprehen se largimi i Kadastrës do ta përkeqësojë edhe më shumë situatën, duke shtuar kostot, lodhjen dhe zvarritjen e dosjeve. Sipas tyre, nëse edhe në Vlorë problemet nuk merrnin zgjidhje, zhvendosja në Tiranë do ta “varrosë” përfundimisht çdo shpresë.

“Ky është varr për ne dhe për Vlorën. Kemi 10–15 vite që presim dokumente dhe nuk kemi marrë asgjë. Tani do jetë edhe më keq, më skëterrë fare. Pronat tona do mbeten peng”, shprehet një banor i revoltuar.

Një tjetër qytetare thekson se edhe pse ka ndërtim me leje, nuk ka marrë asnjë informacion nga Kadastra, ndërsa zhvendosja në Tiranë vetëm sa do ta largojë më shumë nga zgjidhja. “Këtu nuk marrim informacion, jo më në Tiranë. Tani çështja ime do shkretohet fare”, thotë ajo.

Ka edhe nga ata që shprehen të dëshpëruar, duke theksuar se prej dekadash përballen me burokraci dhe humbje financiare pa asnjë rezultat. “Kam 30 vite me dokumente, miliona lekë të shpenzuara dhe asnjë zgjidhje. Si këtu, si në Tiranë, për ne nuk ka drejtësi”, shprehet një tjetër banore.

Banorët paralajmërojnë se nuk do të heshtin dhe kërkojnë anulimin e vendimit, duke e konsideruar zhvendosjen e Kadastrës si një goditje të rëndë për Vlorën dhe një hap drejt shpopullimit dhe shkatërrimit institucional të qytetit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related