SPAK kërkon prangat për Ballukun, Bardhi: Kuvendi është bunker korrupsioni që mbron pushtetin

Data

Kërkesa e SPAK për arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku ka përplasur ashpër politikën në Kuvend. Një ditë para mbledhjes së Këshillit të Mandateve, opozita akuzon mazhorancën se po përdor Parlamentin si mburojë për të penguar drejtësinë.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi në seancë plenare se Kuvendi po shkel ligjin duke zvarritur shqyrtimin e kërkesës së SPAK. Sipas tij, kryeparlamentari Niko Peleshi ka bllokuar qëllimisht procedurat, duke vepruar me urdhër të kryeministrit Edi Rama.

Bardhi tha se Parlamenti ka detyrim kushtetues të mos i fshihet drejtësisë dhe të mos mbrojë asnjë zyrtar të dyshuar për korrupsion. Ai e cilësoi Kuvendin si “bunker korrupsioni”, ku sipas tij po blihen ditë dhe javë për t’i shpëtuar përgjegjësisë penale një zyrtareje të lartë të qeverisë.

Sipas opozitës, dosja e SPAK për Ballukun përmban prova të shumta dhe nuk bëhet më fjalë për akuza politike, por për çështje të dokumentuara nga organi i akuzës. Bardhi theksoi se heshtja dhe vonesat e mazhorancës përbëjnë pengim të drejtësisë dhe cenojnë rëndë besimin e qytetarëve tek institucionet.

Ndërkohë, mbledhja e Këshillit të Mandateve pritet të vendosë nëse Kuvendi do t’i hapë rrugë drejtësisë apo do të vazhdojë përplasjen politike për një nga çështjet më të nxehta të momentit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related