Foltoreja e kësaj të hëne e Partisë Demokratike para Kryeministrisë po zhvillohet pa praninë e kryetarit të PD-së, Sali Berisha. Gazetari Ardit Hoxha ka dhënë detaje mbi arsyen e mungesës së tij, duke sqaruar se Berisha ndodhet jashtë vendit.
Sipas Hoxhës, Berisha ndodhet që prej mbrëmjes së djeshme në Strasburg, ku po merr pjesë në punimet e Këshillit të Evropës. Gjatë qëndrimit atje, ai ka zhvilluar takime me përfaqësues të partive të djathta evropiane, me qëllim sigurimin e mbështetjes politike për kauzat e opozitës shqiptare.
Kjo është hera e parë që një foltore e PD-së para Kryeministrisë zhvillohet pa praninë e Berishës. Pjesëmarrja, sipas gazetarit, nuk ka shënuar ndryshime të mëdha krahasuar me foltoret e fundit, duke mbetur në të njëjtat shifra të mbështetësve që zakonisht ndjekin këtë format.
Megjithatë, krahasuar me protestat e mëdha të muajve të fundit, si ajo e 22 dhjetorit apo protesta e së shtunës së kaluar, pjesëmarrja ka qenë dukshëm më e ulët. Në foltoren e sotme janë mbledhur vetëm disa qindra mbështetës të Partisë Demokratike.
Mesazhet e përcjella gjatë fjalimeve kanë qenë të njëjta me ato të foltoreve të mëparshme, ndërsa aksioni opozitar pritet të vijojë në ditët në vijim.
