Detaje nga zjarri në Greqi/ Shkon në 4 numri i viktimave, tragjedi në fabrikën e biskotave në Trikala

Data

Një tragjedi e rëndë ka goditur qytetin e Trikalës në Greqi, ku katër gra kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri shkatërrues që shpërtheu në orët e para të mëngjesit të së hënës, më 26 janar 2026, në fabrikën e biskotave “Violanda”.

Sipas autoriteteve lokale, flakët kanë përfshirë njësinë e vjetër të prodhimit të fabrikës gjatë turnit të natës. Nga rrënojat janë nxjerrë katër trupa të pajetë, ndërsa një tjetër punonjëse rezulton ende e zhdukur. Të gjitha viktimat janë gra që ndodheshin në punë në momentin e zjarrit. Trupat janë dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore në qytetin e Larisës.

Si pasojë e incidentit, shtatë persona janë plagosur, mes tyre edhe një zjarrfikës. Të lënduarit u transportuan në Spitalin e Përgjithshëm të Trikalës rreth orës 04:30 të mëngjesit, ku morën ndihmën mjekësore dhe u liruan pas disa orësh vëzhgimi.

Zjarri ka shkatërruar plotësisht godinën e vjetër të fabrikës, ndërsa objekti i ri i ndërtuar së fundmi nuk është prekur nga flakët. Ironikisht, kompania ndodhej në proces rinovimi dhe zgjerimi pikërisht të këtyre ambienteve të vjetra.

Në një deklaratë zyrtare, kompania “Violanda” shprehu dhimbjen për humbjet njerëzore dhe theksoi se prioritet mbetet mbështetja e familjeve të viktimave dhe bashkëpunimi i plotë me autoritetet. Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta, ndërsa hetimet nga zjarrfikësja dhe prokuroria greke janë në vijim.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Greqi dhe ka rikthyer në vëmendje shqetësimet mbi sigurinë në vendet e punës dhe kontrollin e objekteve industriale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related