Gjykata lë “në burg” kryetarin në detyrë të bashkisë së Himarës, zbardhen të tjera detaje nga dosja e Jorgo Goros

Data

Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka lënë dje në burg kryetarin në detyrë të Himarës, Jorgo Goro. Në fuqi u lanë të gjitha masat e sigurisë dhe u ndryshua vetëm ajo ndaj ish kreut të Kadastrës. Bilbil Aliaj nga ‘arrest me burg’ u ndryshua në ‘detyrim me paraqitje’ pasi është babai i një fëmije të mitur 5 muajsh. Me pranga në duar kryebashkiaku në detyrë i Himarës u shoqërua paraditen e sotme nga blloku i sigurisë në Tiranë në GJKKO ku iu verifikua masa e sigurisë. Report TV solli me figurë momentin e shoqërimit të tij brenda Gjykatës së Posaçme por dhe brenda kafazit ku qëndrojnë të arrestuarit kur dalin në seancë për vlerësimin  e masës së sigurisë.  Goro u arrestua u arrestua të shtunën e 23 marsit 2024 me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme pasi po hetohet me dyshime se ka shpërdoruar detyrën në dy raste, duke tjetërsuar dy prona në Dhërmi, me një sipërfaqe në total prej 10592 m2, ku  përfitues fundor i truallit ka qenë biznesmeni Artan Gaçi për ndërtimin e kompleksit turistik. Vetë kryebashkiaku në detyrë i Himarës ka mohuar akuzat përmes avokatit të tij Sokol Hazizaj. Ai ka pretenduar se ‘veprimet e tij kanë qenë konform ligjit dhe se SPAK ka ngritur akuzë vetëm mbi shkresa përcjellëse në përputhje me funksionin”. Ndërkohë u lanë në fuqi masat e sigurisë për ish-juristin e Kadastrës, Vezir Gjikoka i pranishëm sot në seancë.  Jerasimo Bashi ish Drejtorin e Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, Bashkia Himarë, si dhe Stavri Mëhilli përfituesi i pronës 5512 m2 në Dhërmi të cilën ia ka shitur më pas Artan Gaçit janë ende në kërkim. Ndaj tyre gjyqtarja Rudina Palloi nuk ndryshoi masat e sigurisë por la në fuqi ato që kishte marrë më 23 mars.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related