Irani ka dërguar një paralajmërim të fortë dhe simbolik ndaj Shteteve të Bashkuara, duke vendosur një poster gjigant në një shesh qendror të Teheranit, në një moment tensionesh të shtuara ushtarake në rajon.
Posteri paraqet një aeroplanmbajtëse amerikane të shkatërruar, me avionë luftarakë në flakë dhe trupa të shtrirë në kuvertë, ndërsa gjaku që rrjedh në det formon vija që kujtojnë flamurin amerikan. Mesazhi i shkruar është i drejtpërdrejtë dhe kërcënues: “Nëse mbjell erën, do të korrësh stuhinë.”
Ky veprim shihet si një sinjal i qartë hakmarrjeje dhe gatishmërie për përballje, në një kohë kur forca detare amerikane po afrohen drejt zonës. Autoritetet iraniane duket se po përdorin gjuhën vizuale të propagandës për të treguar se çdo veprim ushtarak kundër vendit do të ketë pasoja të rënda.
Mesazhi i Teheranit është i qartë: çdo sulm do të marrë përgjigje, duke rritur më tej frikën për një përshkallëzim të rrezikshëm në Lindjen e Mesme.
