Qëndrimi i Edi Ramës për Vorio-Epirin në turin e tij me diasporën në Selanik, ka sjellë edhe reagimin e Athinës zyrtare e cila i quan deklaratat e kryeministrit shqiptar si provokime. Teksa mediat fqinje e kanë quajtur Ramën si të pacipë, Athina zyrtare thotë se “Historia midis dy vendeve nuk ndryshon”. Ky reagim nga Ministria e Jashtme greke erdhi si përgjigje e deklaratave të Ramës, duke iu referuar fjalës së kryeministrit shqiptar kur tha se disa individë ishin angazhuar në protestë kundër ardhjes së tij, duke përdorur fletushka dhe parulla që lidhen me termin e “Vorio Epirit”. “Vorio Epiri është një term i vdekur”, deklaroi Rama dy ditë më parë në takim.
Më tej në reagimin e tyre, Ministria e Jashtme shprehet se kërkon respektim të të drejtave të minoritetit etnik grek në Shqipëri, si kusht për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. “Historia midis dy vendeve nuk ndryshon, prandaj është i nevojshëm respekti i plotë nga ana e Shqipërisë, të të drejtave të minoritetit etnik grek. Ky përbën një kusht eksplicit për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, sipas qëndrimit unanim të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të datës 11 tetor 2024”, thuhet në deklaratë. “Protothema” shkruan se në protestën e përmendur nga Rama, kanë marrë pjesë anëtarë të organizatave nacionaliste, të cilët kanë zhvilluar një protestë jashtë One Salonica, me rastin e pranisë së Ramës në qytet
Çfarë tha Rama?
Duke ankuar për këto reagime, Rama theksoi se veprime të tilla nuk i ndihmojnë marrëdhëniet mes dy vendeve. “U organizua një protestë me fletushka qesharake të frymëzuara nga të ashtuquajturit “vorioepirotët” që më shkaktojnë vetëm keqardhje. “e “Vorio Epiri” është një term i vdekur, me kalimin e kohës ka vdekur. Dhe me të ka vdekur edhe çdo ëndërr të njerëzve që përpiqen ta tallen. Kushdo që përdor këtë term kur flet për jugun e Shqipërisë tregon se nuk dëshiron të jetojë në shekullin e 21-të. Ato janë fosile dhe turp. Kjo nuk është një arsye për të kultivuar ndjenja negative ndaj Greqisë. Greqia është një partner i domosdoshëm që, së bashku me Italinë dhe Turqinë, përbën një trekëndësh strategjik në politikën tonë të jashtme”, tha Rama në Selanik. Siç thanë demonstruesit grekë, ata reaguan ndaj pranisë së kryeministrit shqiptar në Selanik, pasi sipas tyre “shteti shqiptar po shkel sistematikisht të drejtat e njeriut të minoritetit të njohur grek të Vorio-Epirit”.
Reagon OMONIA
Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i Omonia-s, Marin Suli ka folur dje në një media për takimin e kryeministrit Rama me emigrantët në Selanik. Ai ka akuzuar drejtpërdrejtë Edi Ramën se po vjedh emigrantët me uljen e këmbimit të euros. Suli theksoi se kjo nuk ndodh në asnjë vend të Europës. “Duhet të kemi të qartë një gjë, ai që foli për 50 minuta para emigrantëve, është grabitësi më i madh edhe ai atyre pak emigrantëve që ishin në atë sallë në Selanik sepse për një euro që ata dërgojnë në Shqipëri, zotëria i merr menjëherë 400 lekë të vjetra. Kursi i këmbimit në Shqipëri i Lekut me Euron nuk ekziston në asnjë vend të Europës. Ndërkohë që ne flasim na ka shkarë një lajm”, deklaroi ai.
Ndërkaq, sekretari i Omonias i quajti takimet e Ramës me emigrantët si ekskursione, të cilat sipas tij, organizohen me lekët e shqiptarëve. “Hap në Instagram dhe pjesa më e madhe e kryetarëve të bashkive dhe drejtorëve, i ke të gjithë duke pirë uzo dhe duke ngrënë në tavernat e Selanikut. Këta kanë 6 muaj që bredhin me diasporën, por me çfarë lekësh po bredhin? Kam përshtypjen që po bredhin me lekët tona”, nënvizoi Suli.
