Policia Rrugore e Tiranës ka zhvilluar kontrolle intensive gjatë fundjavës, duke goditur ashpër shkeljet e rënda të Kodit Rrugor dhe sjelljet që rrezikojnë jetën e qytetarëve në rrugët e kryeqytetit.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, 24 drejtues mjetesh janë arrestuar ose proceduar penalisht për shkelje të rënda të rregullave të qarkullimit, ndërsa janë vendosur qindra masa administrative për kundërvajtje të ndryshme.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë kontrolleve janë vendosur:
- 529 gjoba për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit
- 517 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurimit
- 635 gjoba për mosvendosje të kaskës mbrojtëse
- 62 masa për mosrespektim të radhës në qarkullim
Gjithashtu, 41 automjete janë hequr me mjet ngritës, pasi ishin parkuar në mënyrë të parregullt dhe pengonin lëvizjen e lirë të mjeteve dhe këmbësorëve.
Policia Rrugore thekson se kontrollet janë intensifikuar jo vetëm për menaxhimin e trafikut, por edhe për parandalimin e aksidenteve me pasoja fatale, duke shtuar prezencën në terren dhe monitorimin me pajisje bashkëkohore.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve dhe të gjithë përdoruesve të rrugës që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit, duke e konsideruar sigurinë rrugore si një përgjegjësi të përbashkët për mbrojtjen e jetës.
