Gazetari investigativ Artan Hoxha është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme, ku ka dorëzuar kasetën origjinale audio që, sipas tij, provon se vrasjet e ndodhura më 21 janar 2011 janë kryer me urdhër dhe brenda një hierarkie komanduese.
Pas daljes nga SPAK, Hoxha deklaroi se materiali i dorëzuar është një regjistrim origjinal në diktofon, ku dëgjohen qartë urdhrat e dhënë nga komandanti i Gardës, para, gjatë dhe pas momentit të vrasjeve të katër protestuesve.
Sipas tij, ky regjistrim përbën një provë kyçe që rrëzon versionin e deritanishëm se vrasjet ishin pasojë e pakujdesisë apo veprimeve individuale.
“Materiali audio dëshmon qartë që vrasjet nuk janë bërë nga pakujdesia, por janë bërë me urdhër. Ka ekzistuar një hierarki që komandonte të gjithë forcat e Gardës,” u shpreh Hoxha.
Gazetari theksoi se më herët kishte dorëzuar edhe një tjetër kopje të regjistrimit, e cila ende nuk është ekspertuar, ndërsa tani SPAK disponon origjinalin, çka sipas tij e forcon ndjeshëm peshën provuese të çështjes.
Një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga Hoxha ishte mbrojtja e burimit, personi që i ka vënë në dispozicion regjistrimin origjinal.
“Për mua është thelbësore mbrojtja e këtij burimi. Është një person që i ka bërë një shërbim të madh vendit. Rëndësia e këtij denoncimi është shumë e madhe, sepse flet për një krim shtetëror,” deklaroi ai.
Dosja e 21 Janarit mbetet një nga plagët më të rënda të pandëshkuara të shtetit shqiptar. Dorëzimi i kësaj kasete origjinale në SPAK shihet si një zhvillim i ri i rëndësishëm, që mund të çojë drejt përgjegjësive penale në nivele të larta vendimmarrjeje.
