Ofronin kalim të paligjshëm drejt SHBA-së kundrejt 35 mijë eurove, Prokuroria dërgon në gjyq 6 persona

Data

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq gjashtë shtetas, të akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe ndihmë në kalim të paligjshëm të kufijve, në kuadër të një skeme për kontrabandimin e emigrantëve drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë kundrejt pagesës prej 35 mijë eurosh.

Sipas hetimeve, organizatori kryesor i aktivitetit ishte shtetasi H.M. (alias A.M.), i hetuar edhe më parë për të njëjta veprimtari. Ai dyshohet se ka rekrutuar shtetas shqiptarë në Shqipëri, duke i dërguar fillimisht në vende të Evropës, më pas në Karaibe, kryesisht në Republikën Domenikane, dhe prej andej drejt Kanadasë ose në SHBA përmes Porto Rikos, duke përdorur dokumente udhëtimi të falsifikuara.

Nga hetimet ka rezultuar se H.M. ka pajisur disa persona me pasaporta dhe dokumente false, duke konsumuar veprat penale të “Falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falsifikimit të dokumentit” dhe “Ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve”. Gjithashtu, gjatë kohës që ndodhej në paraburgim në Fushë-Krujë, ai ka përdorur në mënyrë të paligjshme telefona celularë për të komunikuar me bashkëpunëtorët, duke rënduar më tej pozitat e tij penale.

Në këtë aktivitet janë përfshirë edhe bashkëshortja e tij, L.M., e cila ka marrë pjesë në udhëtime dhe në organizimin e porosive, si dhe vëllai i saj A.P., i cili ka ndihmuar në qarkullimin e dokumenteve të falsifikuara. Po ashtu, shtetasi E.N., punonjës i një agjencie turistike, ka vënë në dispozicion foto dokumentesh të shtetasve të huaj për prodhimin e dokumenteve false, ndërsa C.N., shofer automjeti, ka transportuar dokumentet e falsifikuara. Shtetasi A.M. ka dhënë pasaportën e tij britanike si model për prodhimin e dokumenteve të tjera false.

Në përfundim, Prokuroria ka kërkuar dhe gjykata ka pranuar dërgimin në gjyq të të pandehurve H.M., L.M., A.P., C.N., A.M. dhe E.N., për veprat penale përkatëse, ndërsa procesi gjyqësor pritet të zbardhë plotësisht shtrirjen dhe përfitimet e kësaj skeme të paligjshme emigrimi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related