Rruga nacionale Librazhd–Prrenjas është përfshirë nga balta dhe inertet pas reshjeve të fundit të shiut, duke u kthyer në një rrezik serioz për drejtuesit e automjeteve që qarkullojnë në këtë aks të rëndësishëm.
Sipas raportimeve nga terreni, segmentet e rrugës janë mbuluar nga sasi të mëdha balte, ndërsa mungesa e pastrimit dhe sinjalistikës e bën qarkullimin të vështirë dhe të rrezikshëm, veçanërisht gjatë orëve me trafik të shtuar.
Situata rëndohet edhe më tepër nga trafiku i vazhdueshëm, i cili prej muajsh është kthyer në problem konstant për këtë aks, duke shkaktuar vonesa të gjata dhe rrezik për aksidente.
Burime nga zona bëjnë me dije se punimet për autostradën e Korridorit VIII po zvarriten, ndërsa kantieret e hapura prej muajsh kanë ndikuar drejtpërdrejt në degradimin e rrugës ekzistuese. Në shumë segmente mungon çdo ndërhyrje për stabilizimin e terrenit, çka ka sjellë rrëshqitje dherash dhe grumbullim inertesh mbi asfalt.
Rruga është e ndarë në disa lote, ndërsa vonesat në realizimin e punimeve kanë rritur shqetësimin e banorëve dhe drejtuesve të mjeteve, të cilët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për pastrimin dhe sigurimin e aksit.
Aktualisht, lëvizja në rrugën Librazhd–Prrenjas vijon të mbetet problematike, ndërsa çdo reshje e re shiu e përkeqëson edhe më shumë situatën, duke e kthyer këtë aks në një pikë të nxehtë rreziku për qarkullimin rrugor.
