Gjykata Themelore e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për 23 persona të dyshuar për manipulim të votave gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor në Kosovë.
Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, të dyshuarit përballen me akuza për shkelje të së drejtës së votimit, falsifikim të rezultateve zgjedhore, kanosje, si dhe marrje dhe dhënie ryshfeti. Ata u arrestuan gjatë një aksioni të gjerë policor, ndërsa shumica prej tyre kanë qenë komisionerë dhe vëzhgues të përfshirë në procesin e numërimit të votave.
Nga 23 të dyshuarit, 21 persona akuzohen për falsifikim të rezultatit të votimit, ndërsa një tjetër për falsifikim dhe marrje ryshfeti. Një vëzhgues dyshohet për kanosje dhe dhënie ryshfeti.
Hetimet u intensifikuan pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi rinumërimin e plotë të votave, për shkak të mospërputhjeve të rënda të konstatuara në rezultatet zgjedhore. Deri më tani janë evidentuar rreth 80 mijë vota të pasakta.
Prokuroria ka bërë me dije se manipulimi dyshohet të ketë ndodhur përmes një kompromisi mes komisionerëve të partive kryesore politike, ndërsa në disa raste janë përfshirë edhe familjarë të kandidatëve për deputetë. Vetëm në komunën e Prizrenit dyshohet se janë shtuar mbi 40 mijë vota dhe janë hequr mbi 27 mijë, duke krijuar një diferencë prej mbi 68 mijë votash të manipuluara.
Autoritetet kanë paralajmëruar se hetimet po zgjerohen edhe në zona të tjera të vendit, ndërsa manipulimi i votës konsiderohet vepër penale e dënueshme me burgim.
