“U vra në pabesi për të shpëtuar”/ Vrasja brutale e Petrit Ndout! Bashkëshortja rrëfen versionin tronditës

Data

Një konflikt banal në rrugë u shndërrua në një ngjarje tragjike gjatë orëve të para të mëngjesit të 20 janarit, në aksin Thumanë–Fushë Krujë, ku humbi jetën Petrit Ndou, 57 vjeç. Për vrasjen është arrestuar në flagrancë 28-vjeçari Andi Vokri.

Sipas versionit zyrtar të policisë, i riu dyshohet se e ka goditur disa herë Petrit Ndoun me çekiç në kokë dhe trup, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendngjarje. Në dëshminë e dhënë në komisariat, Andi Vokri ka pretenduar se bëhej fjalë për një konflikt të çastit mes drejtuesve të automjeteve, që sipas tij kishte dalë jashtë kontrollit.

Por ky version kundërshtohet fuqishëm nga familja e viktimës.

Bashkëshortja e Petrit Ndout, Gjystina Ndou, ka rrëfyer një version krejt tjetër të ngjarjes, duke deklaruar se burri i saj u vra në pabesi, teksa po përpiqej të shpëtonte persona të moshuar nga dhuna.

Sipas saj, rreth mesnatës, ajo dhe bashkëshorti po ktheheshin nga një festë familjare në Bushnesh. Në aksin ku ndodhi ngjarja, vunë re dy automjete të bllokuara nga një tjetër mjet, drejtuesi i të cilit – sipas saj – po bërtiste, po ofendonte dhe po godiste makinat, pasi ato nuk kishin mundësi të lëviznin për t’i hapur rrugë.

Gjystina Ndou tregon se Petrit Ndou i njihte personat që ndodheshin në automjetet e bllokuara, pasi kishin qenë bashkë më herët gjatë mbrëmjes. Ai zbriti nga makina për t’i ndihmuar dhe pa se agresori po ushtronte dhunë ndaj pasagjeres së njërit mjet, Nikoll dhe Lula Aliaj, të dy të moshuar.

“Janë të moshuar, çfarë po bën, s’të vjen zor?”, i është drejtuar Petriti agresorit, duke u përpjekur ta ndalonte dhe duke mbyllur derën e automjetit për të mbrojtur pasagjeren.

Sipas dëshmisë së bashkëshortes, agresori nuk u ndal, por vijoi me ofendime dhe kërcënime. Petrit Ndou ndërkohë ndihmoi dy automjetet të zbrapseshin dhe t’i çonte në një kthesë, duke i nxjerrë nga rreziku dhe duke i çuar në një vend të sigurt, ku ata qëndruan deri në fund të ngjarjes.

Më pas, situata u përshkallëzua. Dy persona të tjerë zbritën nga automjeti i autorit dhe u përfshinë në konflikt. Gjystina Ndou u përpoq t’i ndalonte, por sherri vazhdoi. Sipas saj, agresori i mori çelësin e makinës Petrit Ndout, goditi automjetin dhe e shtyu fizikisht edhe atë vetë.

E frikësuar për jetën e tyre, ajo i kërkoi bashkëshortit të largohej dhe të fshiheshin, pasi ishin përballë tre personave agresivë dhe ekzistonte rreziku që ata të ktheheshin me armë ose mjete të forta. Çifti u fsheh për disa minuta dhe njoftoi policinë, si edhe familjarët.

Duke menduar se agresorët ishin larguar, Petrit Ndou u kthye vetëm për të parë automjetin e tij. Sipas dëshmisë së bashkëshortes, pikërisht në atë moment, ai u godit nga pas në kokë me çekiç, në pabesi, duke humbur jetën menjëherë.

Familja kërkon zbardhje të plotë të ngjarjes dhe drejtësi për vrasjen e Petrit Ndout, të cilin e përshkruajnë si një njeri që humbi jetën duke mbrojtur të tjerët.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related