Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, këtë të dielë, në një komunikim për mediat, ka folur për protestën e zhvilluar një ditë më parë, duke shprehur mirënjohje për qytetarët që iu bashkuan reagimit opozitar.
Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se protesta tronditi nga themelet qeverinë dhe se qytetarët triumfuan në rrugët dhe sheshet e Tiranës, por edhe në mbarë vendin.
Sipas tij, qindra mijëra qytetarë nga Tirana dhe nga të katër anët e Shqipërisë u përballën për më shumë se tre orë me forcat e rendit, në atë që ai e cilësoi si përballje të guximshme kundër një narkoregjimi të instaluar në pushtet.
Berisha theksoi se protesta nuk kishte lidhje me dëmtimin e institucioneve apo ndërtesave shtetërore, por ishte shprehje e zemërimit qytetar ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
“Dje regjimi u trondit nga themelet dhe qytetarët triumfuan në rrugët dhe sheshet e Tiranës. Ata u bënë zëri i ndërgjegjes së njerëzve të ndershëm, që nuk pajtohen me një qeveri që nuk del nga vullneti i tyre, por nga farsa elektorale,” u shpreh Berisha.
Ai nënvizoi se protesta nuk ishte për interesa personale apo partiake, por për dinjitetin njerëzor, interesin kombëtar dhe të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë.
Një element i veçantë i protestës, sipas Berishës, ishte pjesëmarrja masive e të rinjve dhe adoleshentëve, të cilët ai i cilësoi si shpresë dhe ogur për ndryshimin e vendit.
“Protesta u dominua nga rinia, nga guximi, energjia dhe vendosmëria e tyre. Kjo është një shenjë e madhe shprese për shqiptarët, sepse do të jenë të rinjtë ata që do ta përmbysin këtë organizatë kriminale,” deklaroi kreu i PD-së.
Berisha e cilësoi protestën si një protestë të ndërgjegjes qytetare, duke theksuar se, sipas tij, asgjë nuk është më e fuqishme dhe më e pathyeshme se reagimi që buron nga ndërgjegjja e njerëzve.
