Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se shumë shpejt do të zhvillojë një takim me presidenten Vjosa Osmani, për të diskutuar hapat e ardhshëm institucionalë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Kurti tha se procesi do të ndjekë rendin kushtetues, duke nisur fillimisht me certifikimin e rezultateve dhe konstituimin e Kuvendit të Kosovës, më pas formimin e qeverisë dhe vetëm në vijim zgjedhjen e presidentes. Ai theksoi se kandidatura e Osmanit për një mandat të dytë do të trajtohet në kohën e duhur.
Deklaratat Kurti i bëri pas një vizite në Telekomin e Kosovës, ku u pyet edhe për mundësinë e bashkëpunimeve politike. Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje u shpreh se rezultati i zgjedhjeve është i qartë dhe se nuk ka më pengesa për formimin e institucioneve të reja.
“Rezultati është më i qartë se asnjëherë më parë. Ne prisnim ta tejkalonim rezultatin e zgjedhjeve të mëparshme dhe duket se kjo po ndodh. Bllokadat në formimin e Kuvendit dhe pengesat për krijimin e qeverisë së re janë tashmë inekzistente”, u shpreh Kurti.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën më 28 dhjetor, ku Lëvizja Vetëvendosje u rendit forcë e parë me 49.3 për qind të votave, duke forcuar pozitën e saj për krijimin e shumicës qeverisëse.
