Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) ka reaguar ashpër pas përdorimit të gazit lotsjellës të dyshuar si i skaduar gjatë protestës së opozitës, e zhvilluar një ditë më parë përpara Kryeministrisë.
Në reagimin e tij zyrtar, UGSH shpreh shqetësim të thellë për pasojat e shkaktuara tek qytetarët dhe veçanërisht tek gazetarët dhe operatorët e mediave, duke e cilësuar ngjarjen si një akt të rëndë dhe të papranueshëm, që kërkon reagim të menjëhershëm dhe hetim të plotë.
Sipas Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, gjatë shpërndarjes së protestës, reporterë dhe punonjës të mediave janë ekspozuar drejtpërdrejt ndaj gazit lotsjellës, duke pësuar vështirësi në frymëmarrje, irritim të syve dhe probleme shëndetësore, ndërkohë që ndodheshin në krye të detyrës duke raportuar për publikun.
UGSH thekson se gazetarëve u është dhunuar e drejta për të raportuar lirshëm, ndërsa përdorimi i mjeteve të tilla në zonat ku ishin të pozicionuara mediat përbën shkelje të rëndë të standardeve demokratike dhe të lirisë së shtypit.
Reagimi i plotë i Unioni i Gazetarëve Shqiptarë:
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është i tronditur nga episodet dhe imazhet e publikuara nga operatorë dhe reporterë të mediave në mbyllje të protestës kombëtare të thirrur nga opozita politike, në bulevardin kryesor të kryeqytetit.
Në pamjet e publikuara shfaqen reporterë dhe punonjës mediash të përlotur dhe me vështirësi të theksuara në frymëmarrje. Sipas dëshmive të tyre, kjo gjendje është shkaktuar nga përdorimi i gazit lotsjellës nga Policia e Shtetit, në përpjekje për të shpërndarë protestuesit.
Ky akt i rëndë ka ndodhur pikërisht në zonat ku ishin vendosur punonjësit e mediave për të raportuar zhvillimin e protestës. UGSH denoncon këto lëndime të shkaktuara ndaj reporterëve, operatorëve dhe punonjësve të tjerë të mediave të pranishëm për shkak të detyrës.
UGSH u bën thirrje të gjithë kolegëve të prekur që të denoncojnë çdo rast, të dokumentojnë çdo episod dhe të publikojnë prova përkatëse, qofshin për autorët zbatues apo urdhërdhënës.
Gjithashtu, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kërkon reagimin e organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare që monitorojnë lirinë e medias dhe të drejtat themelore të njeriut, përballë këtyre episodeve të rënda që cenojnë demokracinë dhe liritë civile.
Policia e Shtetit, në këto raste, ka kryer veprime injoruese ndaj gazetarëve dhe ka shkelur rëndë të drejtën e tyre për të ushtruar profesionin, duke i ekspozuar ndaj rrezikut shëndetësor.
Ky rast duhet të hetohet në mënyrë të plotë dhe transparente, dhe përgjegjësit të vihen para përgjegjësisë ligjore.
