Pas gazit të skaduar, vala e arrestimeve: Shteti në terror

Data

Pas përdorimit të gazit lotsjellës të skaduar ndaj mijëra qytetarëve gjatë protestës së opozitës, aparati shtetëror ka vijuar goditjen me një valë arrestimesh dhe procedimesh penale, duke e çuar situatën në një nivel të ri përshkallëzimi dhe frike.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, 37 persona janë vënë nën akuzë për ngjarjet e protestës: 18 janë arrestuar, 17 janë proceduar penalisht dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim. Mes të proceduarve ndodhen edhe tre deputetë të opozitës, çka përforcon akuzat se drejtësia po përdoret si instrument politik për të shtypur kundërshtimin qytetar.

Ky reagim vjen vetëm pak orë pasi qytetarë, aktivistë dhe gazetarë u ekspozuan ndaj gazit lotsjellës, për të cilin janë ngritur dyshime serioze se ishte i skaduar dhe potencialisht i rrezikshëm për shëndetin. Pamjet nga terreni dhe dëshmitë e protestuesve flasin për kaos, dhunë të panevojshme dhe ndërhyrje të verbër të forcave të rendit.

Opozita e ka cilësuar këtë situatë si terror shtetëror, duke akuzuar qeverinë se po përgjigjet me dhunë dhe frikë ndaj një proteste politike që kishte në qendër kundërshtimin e korrupsionit dhe keqqeverisjes. Arrestimet, sipas saj, nuk janë veprime ligjore, por hakmarrje politike ndaj atyre që guxuan të dalin në shesh.

Ndërkohë, shoqëria civile dhe organizatat e medias kanë kërkuar transparencë të plotë mbi përdorimin e gazit lotsjellës, përgjegjësitë zinxhir dhe respektimin e të drejtës për protestë paqësore, një e drejtë themelore në çdo shtet demokratik.

Ajo që po ndodh pas protestës nuk shihet më thjesht si një reagim policor, por si një mesazh frikësimi: kush proteston, ndëshkohet. Nga gazi te prangat, shteti duket se ka zgjedhur rrugën e presionit, duke e thelluar krizën politike dhe institucionale në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related