Policia e Tiranës ka dhënë reagimin zyrtar pas protestës së zhvilluar një ditë më parë nga opozita, duke bërë bilancin e ndërhyrjeve dhe procedimeve penale.
Sipas njoftimit, 18 persona janë arrestuar, 17 të tjerë janë proceduar penalisht, ndërsa 2 persona janë shpallur në kërkim. Gjatë protestës raportohet se 11 efektivë policie janë dëmtuar, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Mes personave të proceduar penalisht janë edhe 4 zyrtarë të Partisë Demokratike, prej të cilëve 3 deputetë. Autoritetet sqarojnë se procedimet lidhen me akuzat për organizim të grumbullimeve të paligjshme dhe kundërshtim të punonjësve të Policisë së Rendit Publik.
Policia deklaron se gjatë tubimit disa protestues kanë hedhur lëndë djegëse dhe mjete piroteknike, duke krijuar tension dhe përplasje fizike me forcat e rendit. Në total janë identifikuar 37 persona për veprime të kundërligjshme.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
