Analisti Valon Arifi ka denoncuar publikisht një skandal të rëndë zgjedhor në Prizren, duke deklaruar se keqpërdorimi i votave ka qenë masiv dhe i organizuar, veçanërisht brenda Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Sipas tij, ndonëse manipulimi i votës nuk është një fenomen i ri, këtë herë ai ka dalë hapur në pah dhe ka marrë përmasa alarmante.
Arifi theksoi se përgjegjësia kryesore bie mbi kandidatët për deputetë, të cilët duhet të mbrojnë votën e tyre dhe të mos bëhen pjesë e marrëveshjeve të errëta brenda strukturave partiake. Ai nënvizoi se në Prizren, por edhe në komuna të tjera, ka pasur dakordësi mes komisionerëve që kanë manipuluar votat në favor të kandidatëve të caktuar brenda të njëjtës parti.
“Ekziston një dallim i qartë mes votës për parti dhe votës për deputet. Keqpërdorimi më i madh ka ndodhur pikërisht tek votat për deputetë dhe kjo është parë në mënyrë flagrante në Prizren, sidomos brenda PDK-së. Votat janë vjedhur nga kolegët e njëri-tjetrit brenda partisë”, u shpreh Arifi.
Ai kërkoi që kandidatët e përfshirë në këtë skandal të marrin përgjegjësi politike dhe morale, duke dorëzuar mandatet e fituara në mënyrë të paligjshme. Sipas tij, partitë e tjera politike duhet të distancohen qartë nga këta individë dhe të mos i përfshijnë në grupet e tyre parlamentare.
“Ky është një test për demokracinë dhe për integritetin politik. Nëse këto raste tolerohen, atëherë po legalizohet vjedhja e votës. Distancimi është i domosdoshëm”, përfundoi Arifi.
