“Zinxhiri shkon më lart”, Strazimiri: Nëse bie Balluku, Rama shkon pas saj

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, paralajmëron një përplasje frontale mes qeverisë dhe Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit, duke e cilësuar situatën aktuale si një luftë të hapur për mbijetesë politike. Sipas tij, rikthimi në detyrë i Belinda Ballukut dhe bllokimi i hetimeve ndaj saj nuk lidhen me mbrojtjen e një individi, por me frikën se zinxhiri i përgjegjësisë çon drejtpërdrejt te kryeministri Edi Rama.

Në një intervistë televizive, Strazimiri tha se përplasja me SPAK-un nuk është as e rastësishme dhe as e papritur, por kulmi i një procesi të paralajmëruar që nga momenti i krijimit të reformës në drejtësi. Sipas tij, drejtësia e re u ndërtua si një strukturë e kontrolluar politikisht, por sot është kthyer në një kërcënim real për pushtetin.

“Është një luftë për mbijetesë mes dy strukturave politike: qeverisë dhe SPAK-ut. Peshku i madh i thotë drejtësisë ‘të kam krijuar unë, nuk më prek dot’”, u shpreh Strazimiri.

Ai theksoi se refuzimi i Parlamentit për t’i hequr imunitetin Ballukut është një sinjal i qartë se mazhoranca nuk do të lejojë që hetimet të shkojnë më lart. Strategjia, sipas tij, është e shumëfishtë: bllokim në Kuvend për të kaluar afatin 3-mujor, zvarritje në Gjykatën Kushtetuese dhe dërgim i çështjes në Komisionin e Venecias për të fituar kohë.

Strazimiri e cilësoi këtë sjellje si të paprecedentë në 35 vite demokraci, duke kujtuar se më parë asnjë qeveri nuk kishte refuzuar t’i hapte rrugë drejtësisë për ministra apo deputetë. Sipas tij, thelbi i panikut nuk është Balluku, por fakti se ajo përbën hallkën që lidh aferat korruptive me kryeministrin.

“Unë jam i bindur se nëse Belinda Balluku shkon në burg, menjëherë pas saj shkon Edi Rama. Kjo është arsyeja pse po përdoret e gjithë pafytyrësia politike për ta ndalur drejtësinë”, tha ai.

Deputeti demokrat shtoi se SPAK-u, i cili fillimisht u përdor kundër opozitës, sot po përballet me krijuesin e vet. Sipas tij, qeveria po i dërgon një mesazh të qartë prokurorisë: pushtetin e kemi ne dhe mund ta zhbëjmë atë që ndërtuam.

“Ky nuk është ndryshim pozicionesh, është filmi i paralajmëruar. Jemi në pikën e moskthimit. Ose SPAK-u bën detyrën për të cilën u krijua, ose reforma në drejtësi bie bashkë me besimin e publikut”, përfundoi Strazimiri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related