Bullgaria shkruan histori, Iliana Yotova bëhet presidentja e parë femër e vendit

Data

Bullgaria ka hyrë në një kapitull të ri historik, pasi pas dorëheqjes së presidentit Rumen Radev, detyrat e kreut të shtetit i ka marrë zyrtarisht Iliana Yotova, duke u bërë presidentja e parë femër në historinë e vendit.

Gjykata Kushtetuese e Bullgarisë pranoi dorëheqjen e Radev, duke aktivizuar menjëherë transferimin e kompetencave presidenciale tek zëvendëspresidentja, në përputhje me Kushtetutën. Iliana Yotova nuk ka pasur nevojë të bëjë një betim të ri, pasi e kishte dhënë atë në vitin 2021, kur mori detyrën si zëvendëspresidente.

Sipas kuadrit kushtetues bullgar, gjatë mandatit të saj nuk do të emërohet një zëvendëspresidente e re, ndërsa Yotova do të ushtrojë të gjitha kompetencat e presidentes deri në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Iliana Yotova e nisi karrierën e saj publike si gazetare, përpara se të angazhohej në politikë në radhët e Partisë Socialiste Bullgare. Ajo ka shërbyer si deputete në Parlamentin Bullgar dhe më pas si anëtare e Parlamentit Evropian, duke ndërtuar një profil të fortë politik në nivel kombëtar dhe evropian.

Për nëntë vite me radhë, Yotova ka qenë zëvendëspresidente e Bullgarisë, duke garantuar stabilitet dhe vazhdimësi institucionale, çka e bën tranzicionin drejt postit të presidentes të qetë dhe pa vakum politik.

Rumen Radev u largua zyrtarisht nga pallati presidencial në një ceremoni zyrtare, i shoqëruar nga pasardhësja e tij. Ai kishte shpallur dorëheqjen më 19 janar, duke u bërë presidenti i parë në historinë moderne demokratike të Bullgarisë që largohet nga detyra para përfundimit të mandatit.

Ky zhvillim shënon një moment simbolik për Bullgarinë, duke vendosur për herë të parë një grua në krye të shtetit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related