Alarm në Qukës–Qafë Plloçë, rruga çahet dhe rrezikon shembje totale

Data

Situatë alarmante është krijuar në aksin rrugor Qukës–Qafë Plloçë, ku në lotin e dytë të kësaj rruge është konstatuar çarje e rëndë e trasesë, duke rrezikuar seriozisht qarkullimin e automjeteve. Problemi është shfaqur pas reshjeve të fundit të shiut, në një segment mbi fshatin Malinë.

Në një gjatësi mbi 20 metra, rruga është çarë dhe është batisur në një pjerrësi të theksuar, duke krijuar rrezik real për drejtuesit e mjeteve që kalojnë çdo ditë në këtë aks. Banorët e zonës shprehen se shkaku kryesor lidhet me punimet e dobëta të kompanisë ndërtuese, e cila, sipas tyre, nuk ka realizuar siç duhet sistemin e kullimit dhe tombinot e ujërave.

Sipas dëshmive të banorëve, zona ka pasur probleme me rrëshqitje edhe më herët, gjatë fazës së ndërtimit të rrugës. Megjithatë, kompania ka vijuar punimet pa zgjidhur burimin kryesor të rrezikut, ujërat që zbresin nga mali, çka ka agravuar situatën aktuale.

Aktualisht janë vërejtur mjete të kompanisë në zonë, por ende nuk ka një njoftim zyrtar nëse do të ndërhyhet për një zgjidhje përfundimtare apo vetëm për riparime të përkohshme. Specialistët paralajmërojnë se, nëse nuk merren masa urgjente, ekziston rreziku i shembjes së plotë të këtij segmenti.

Probleme të ngjashme janë konstatuar edhe në dy zona të tjera përgjatë aksit, pranë fshatrave Trebinjë dhe Zëmçë, ku janë evidentuar çarje të asfaltit, rrëshqitje dherash dhe lëvizje të trasesë.

Qarkullimi në këtë aks vijon, por rreziku mbetet i lartë, ndërsa kërkohet ndërhyrje e menjëhershme për garantimin e sigurisë rrugore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related