Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi protestën e 24 janarit si një moment vendimtar për fatin e Shqipërisë, duke deklaruar se nesër qytetarët do të zhvillojnë atë që ai e quan “gjyqi popullor” ndaj kryeministrit Edi Rama.
Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi Ramën për lidhje me krimin e organizuar, bandat dhe trafikantët, si dhe për shkatërrimin e votës së lirë, kapjen e institucioneve dhe largimin masiv të shqiptarëve nga vendi. Sipas tij, protesta e së shtunës do të jetë një akt qytetar kundër një regjimi që, sipas opozitës, ka humbur çdo legjitimitet.
Berisha u ndal edhe te zhvillimet e fundit në Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar ditën e djeshme si një nga më të zezat në historinë e drejtësisë shqiptare. Ai akuzoi Këshillin e Ministrave, Presidencën dhe Kuvendin se u rreshtuan për të mbrojtur afera të rënda korruptive, veçanërisht në çështjen e zv/kryeministres Belinda Balluku.
Sipas Berishës, mbështetja e hapur ndaj Ballukut tregon frikën e drejtuesve të lartë të shtetit se drejtësia mund të trokasë edhe në dyert e tyre. Ai theksoi se institucionet e drejtësisë janë kthyer në mburojë politike për korrupsionin.
Duke komentuar edhe mungesën e Edi Ramës në Davos dhe çështjen e Bordit të Paqes, Berisha hodhi poshtë justifikimet e kryeministrit, duke thënë se pavarësisht propagandës, Rama mbetet i padëshiruar në Europë dhe në arenën ndërkombëtare.
Në fund, Berisha bëri të ditur se Partia Demokratike ka ndërprerë çdo bashkëpunim me mazhorancën dhe do të ndërmarrë reforma zgjedhore dhe territoriale përmes komisioneve opozitare, jashtë kontrollit të qeverisë.
“24 janari është dita kur populli do të flasë. Është momenti i gjyqit për kryehajdutin,” përfundoi Berisha.
