Policia e Tiranës ka arrestuar dy shtetase, të cilat dyshohet se kanë dhunuar një efektive policie brenda ambienteve të komisariatit.
Sipas njoftimit zyrtar, të arrestuara janë shtetaset M. A., 38 vjeçe dhe R. A., 29 vjeçe, të cilat kanë hyrë në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 dhe kanë goditur një oficere policie për shkak të detyrës.
Ngjarja ka ndodhur në hyrje të komisariatit, ndërsa rrethanat e plota që çuan në këtë incident ende nuk janë bërë të ditura. Pas ndërhyrjes së shërbimeve të policisë, dy gratë u shoqëruan dhe u arrestuan në flagrancë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dokumentimin e saj.
