Një grabitje e rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme në qytetin e Durrësit, ku viktimë ka rënë një punonjës i burgut të këtij qyteti.
Shtetasi Shpëtim Mustafaj, 43 vjeç, banues në Durrës dhe punonjës i Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës, ka kallëzuar në polici se persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e tij gjatë natës, duke i vjedhur armën e shërbimit si edhe një arkë ku mbante kursimet personale.
Pas denoncimit, policia ka nisur menjëherë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të grabitjes, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme ligjore.
