Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama lidhur me çështjen e Bordit të Paqes, duke deklaruar se Rama tentoi ta paraqiste një ftesë drejtuar Shqipërisë si sukses personal, por sipas tij dështoi publikisht.
Në një konferencë për mediat, Berisha u shpreh se kryeministri shkoi në Kuvend i tensionuar dhe i shpërfytyruar, pasi sipas tij kishte marrë një mesazh të qartë ndërkombëtar se është i padëshiruar.
“Jemi në kilometrin e fundit. Me guxim dhe besim, të vendosur për të përmbysur këtë regjim. Të gjitha institucionet janë kthyer në mur mbrojtës të korrupsionit. Edhe gjykatat janë pjesë e tij. Ky është narkoshtet, shtet i turpit. Në të gjithë literaturën politike botërore, ky regjim i përshtatet më shumë kakistokracisë – sundimit të më të këqijve,” deklaroi Berisha.
Ai theksoi se Rama tentoi të përfitonte politikisht nga ftesa për Shqipërinë për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, duke e paraqitur sikur ishte ftesë personale për të.
“Edi Rama tundi një ftesë që i erdhi Shqipërisë, por nuk e gëzoi dot. Përkundrazi, mesazhi ishte i qartë: ‘Mos guxo, nuk duam të shohim fytyrën tënde’. Ky ishte realiteti. Ai erdhi në Parlament i shpërfytyruar, në një kohë kur mblodhi Kuvendin dhe u përpoq të tregonte se parlamenti ratifikoi marrëveshjen,” u shpreh Berisha.
Sipas kreut të PD-së, kryeministri është tashmë i izoluar ndërkombëtarisht dhe i refuzuar si në Europë ashtu edhe në skenën globale.
“E ndjeu shumë qartë se është i padëshiruar në Europë dhe në botë,” përfundoi Berisha.
