Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka sulmuar ashpër qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama gjatë fjalës së saj në Kuvend, duke e cilësuar qeverisjen si të papërgjegjshme dhe të paaftë në çdo hallkë.
Zhupa akuzoi Ramën për deklarata të papranueshme ndaj Kongresit Amerikan, duke thënë se insinuatat për “blerje” të kongresmenëve dëmtojnë rëndë marrëdhëniet strategjike të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara. Ajo e krahasoi këtë sjellje me raste të errëta korrupsioni, duke theksuar se po tentohet të fshihet dështimi i qeverisë në fusha jetike si energjia, shëndetësia dhe siguria e qytetarëve.
Sipas Zhupës, Shqipëria po përjeton rrezik real për jetën e qytetarëve nga mungesa e energjisë dhe keqmenaxhimi ekstrem, ndërsa në çdo vend normal demokratik, përgjegjësit do të kishin dhënë dorëheqje. Ajo shtoi se qeveria ka degraduar në çdo qelizë të saj dhe se retorika ndaj aleatëve ndërkombëtarë përdoret për të mbuluar dështimet e brendshme.
Deputetja e PD theksoi se strategjitë kundër narkotrafikut dhe krimit të organizuar nuk janë shpikje të opozitës, por politika të qarta të aleatëve strategjikë të Shqipërisë, duke paralajmëruar se drejtësia herët a vonë do të veprojë.
