Ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka është paraqitur këtë të enjte në ambientet e SPAK, ku ka qëndruar për afro dy orë në kuadër të hetimeve për dosjen ndaj Erion Veliaj dhe personave të lidhur me të.
Bushka u largua nga godina e Prokurorisë së Posaçme pa dhënë deklarata për mediat, ndërsa hetimet ndaj saj lidhen me dyshimet për pengim të hetimeve dhe intimidim të dëshmitarëve.
Sipas SPAK, ish-deputetja dyshohet se ka kontaktuar persona të thirrur për t’u marrë në pyetje nga prokurorët, mes tyre edhe Ina Goxhaj, ish-drejtoreshë ekzekutive e qendrës “Byl-A”. Prokuroria pretendon se Bushka i ka kërkuar asaj të mohonte informacionet gjatë dëshmisë në SPAK.
Pak muaj më parë, Bushka kërkoi në GJKKO ndarjen e dosjes së saj nga pjesa tjetër e hetimit, duke argumentuar se nuk është më deputete dhe se çështja duhet të trajtohet nga juridiksioni i zakonshëm.
Avokati i saj, Henrik Ligori, deklaroi më herët se Bushka nuk i pranon akuzat dhe i konsideron ato të pambështetura në prova dhe fakte. Mbrojtja ka kërkuar gjithashtu gjykim të shkurtuar dhe transferimin e çështjes në një gjykatë tjetër jashtë kompetencës së GJKKO-së.
