Rama shpërthen ndaj SPAK: Pa drejtësi për 21 Janarin nuk ka drejtësi të re

Data

Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar akuzat ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke e cilësuar të vonuar dhe të heshtur përballë një prej krimeve më të rënda të demokracisë shqiptare – vrasjen e katër protestuesve më 21 janar 2011. Gjatë një takimi në Kryeministri me familjarët e viktimave, Rama deklaroi se për vite me radhë SPAK ka vepruar sikur kjo ngjarje “nuk ekziston”.

Duke rikujtuar atë ditë tragjike, Rama tha se protestuesit u qëlluan me plumba nga shteti, ndërkohë që nuk kishin hyrë në ambientet e Kryeministrisë dhe protesta po shuhej. Sipas tij, urdhri për të hapur zjarr përbën krimin më të egër të kryer ndonjëherë ndaj demokracisë shqiptare.

Kryeministri theksoi se zbardhja e 21 Janarit ishte një nga arsyet kryesore pse mazhoranca mbështeti reformën në drejtësi, por sipas tij kjo drejtësi ende nuk ka përmbushur misionin e saj më themelor. Rama u shpreh se SPAK ka treguar shpejtësi në hetime të tjera, ndërsa për këtë çështje madhore ka ecur “me hapin e breshkës”.

“S’ka drejtësi të re pa ndëshkimin e 21 janarit. Pa gjyqin e vërtetë për këtë krim, drejtësia mbetet e vjetër dhe e cunguar”, deklaroi Rama, duke shtuar se kjo çështje është një gropë e hapur në themelet morale të sistemit të ri të drejtësisë.

Ai theksoi se ende pret që SPAK të çojë para Gjykatës së Posaçme urdhëruesit e vrasjeve dhe jo vetëm ekzekutorët, duke nënvizuar se përgjegjësia politike dhe penale nuk mund të shmanget pafundësisht.

Pas takimit, Rama, drejtues të lartë të Partisë Socialiste, familjarët e viktimave dhe qytetarë zhvilluan homazhe në Bulevard, ku vendosën lule pranë katër pllakave përkujtimore të protestuesve të vrarë. Kryeministri tha se pa drejtësi, ata nuk mund të prehen në paqe dhe se 21 Janari mbetet një plagë e hapur për shtetin dhe demokracinë shqiptare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related