Fati politik dhe institucional i zv.kryeministres Belinda Balluku është sot në duart e Gjykatës Kushtetuese, ku përballë njëra-tjetrës janë vendosur qeveria dhe drejtësia. Seanca pritet të nisë në orën 10:00 dhe do të shqyrtojë ankimin e kryeministrit Edi Rama kundër vendimit të GJKKO-së, e cila në nëntor 2025 vendosi pezullimin e Ballukut nga detyra.
Në seancë janë thirrur përfaqësues të qeverisë, Prokurorisë së Posaçme, Gjykatës së Posaçme, Kuvendit dhe Presidencës, duke e kthyer procesin në një test të drejtpërdrejtë për balancën mes pushteteve. Ndërkohë, Balluku është rikthyer përkohësisht në detyrë pas një vendimi të ndërmjetëm të Kushtetueses, deri në shpalljen e vendimit përfundimtar.
Kryeministri Rama kërkon shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së, duke argumentuar se pezullimi i një anëtari të qeverisë përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë të pushtetit gjyqësor në kompetencat e ekzekutivit. Në ankim, qeveria kërkon që Gjykata Kushtetuese të sqarojë konfliktin e kompetencave mes Këshillit të Ministrave dhe GJKKO-së, duke theksuar se Kushtetuta ia njeh ekskluzivisht kryeministrit të drejtën për emërimin dhe shkarkimin e ministrave.
Një tjetër pikë kyçe e ankimit lidhet me interpretimin e nenit 103 të Kushtetutës, sipas të cilit anëtarët e qeverisë gëzojnë imunitetin e deputetit. Qeveria kërkon shfuqizimin e masës së pezullimit nga detyra, ndërsa masa tjetër e sigurisë, ndalimi i daljes jashtë vendit, nuk është objekt ankimi.
Nga ana tjetër, GJKKO mbron vendimin e saj, duke argumentuar se pezullimi nga detyra ishte i domosdoshëm për të shmangur rrezikun e ndikimit në prova, ndërhyrjen në hetim, përsëritjen e veprës penale apo largimin nga vendi. Sipas gjykatës, masa është në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe nuk e pengon Ballukun të ushtrojë funksionin e deputetes në Kuvend.
Vendimi i Kushtetueses vjen në një moment delikat, pasi SPAK ka depozituar në Kuvend edhe kërkesën për autorizim për arrestimin e Ballukut. Këshilli i Mandateve pritet të mblidhet më 28 janar për të shqyrtuar këtë kërkesë, duke e shtuar më tej presionin politik dhe institucional mbi çështjen.
Balluku është e pandehur për tenderin 190 milionë euro të Tunelit të Llogarasë, nën hetim për disa lote të Unazës së Madhe dhe po verifikohen edhe procedura të tjera tenderuese. Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese pritet të krijojë precedent të rëndësishëm për raportin mes drejtësisë dhe pushtetit ekzekutiv, si dhe për kufijtë e ndërhyrjes së gjykatave në funksionimin e qeverisë.
