Mbledhja e parë e vitit 2026 e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë ka dështuar për shkak të mungesës së kuorumit, duke ekspozuar sërish vakumin institucional në një nga institucionet më të rëndësishme financiare të vendit.
Edhe pse kalendari i mbledhjeve ishte miratuar që në fund të vitit të kaluar, takimi i planifikuar për sot nuk u zhvillua si mbledhje vendimmarrëse, por vetëm si një takim informues mes anëtarëve ekzistues. Arsyeja kryesore është mungesa e anëtarëve të rinj, mandatet e të cilëve ende nuk janë miratuar nga Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave.
Mandati i gjashtë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës përfundoi në dhjetor 2025 dhe, sipas ligjit, ata nuk mund të ushtrojnë më funksionet pas përfundimit të mandatit. Për pasojë, që prej atij momenti, Këshilli Mbikëqyrës nuk ka më kuorum dhe vendimmarrja është praktikisht e bllokuar.
Edhe mbledhja e radhës, e planifikuar për 4 shkurt, ku pritet të shqyrtohet raporti i Politikës Monetare dhe norma bazë e interesit, rrezikon të dështojë, pasi Kuvendi nuk ka përfshirë ende në axhendë zgjedhjen e anëtarëve të rinj. Sipas burimeve parlamentare, dëgjesat e kandidatëve mund të nisin vetëm në javën e parë të shkurtit, duke e shtyrë krijimin e kuorumit, në rastin më optimist, për muajin mars.
Situata aktuale rikthen një precedent të njohur, pasi edhe në vitin 2018 Banka e Shqipërisë u përball me një bllokim të ngjashëm për shkak të vonesave në plotësimin e vakancave. Vonesat institucionale po kthehen në një problem të përsëritur, duke rrezikuar funksionimin normal dhe pavarësinë e vendimmarrjes në institucionet kyçe të sistemit financiar.
