Gjykata e Tiranës, me kërkesë të Prokurorisë, ka liruar nga burgu dy vëllezërit Agim dhe Florenc Domi, duke iu caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Agim Domi ishte administrator i kompanisë “Master Al” në pronësi të Skifter Tagani, ndërsa vëllai i tij Florenc Domi punonte si magazinier në filialin e kësaj kompanie në Vorë.
Kjo kompani u zbulua se ishte e angazhuar në një aktivitet kriminal për të helmuar shqiptarët me produket të falsifikikuara, teksa pronari i saj Skifter Tagani po hetohet në gjendje të lirë.
Tagani grumbullonte ushqime të skaduara nga tregje të ndryshme të vendit (biskota “Tagani”), kryesisht në qytete si Tirana, Elbasani dhe Durrësi por edhe nga jashtë Shqipërisë, të cilat më pas i dërgonte në magazinën e tij në Vorë. Pikërisht këtu, dyshohet se këtyre produkteve u falsifikohej skadenca dhe më pas hidheshin përsëri në treg.
Në një operacion të koduar “Siguria Ushqimore” policia sekuestroi 716 koli dhe dhjetëra kilogramë mallrash ushqimore të përpunuara të skaduara që 7 muaj më parë, me etiketat e falsifikuara.
