Avokati Spartak Ngjela ka bërë deklarata të forta lidhur me ngjarjet e 21 janarit 2011, duke theksuar se bëhet fjalë për një çështje me përgjegjësi të qartë penale dhe jo politike. I ftuar në një emision televiziv, Ngjela u shpreh se urdhri për përdorimin e armëve ka ardhur nga zyra e ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e konsideruar këtë fakt thelbësor për hetimin.
“Këtu flitet për përgjegjësi penale. Janë vrarë katër persona dhe nga zyra e tij është dhënë urdhri”, deklaroi Ngjela, duke shtuar se kjo ngjarje nuk mund të relativizohet apo të mbulohet me debate politike.
Sipas tij, dosja e 21 Janarit tashmë ndodhet në duart e Prokurorisë së Posaçme dhe për herë të parë ekziston një instrument real për të çuar drejtësinë deri në fund. Ngjela theksoi se SPAK nuk drejtohet nga politika shqiptare, por mbështetet dhe monitorohet nga ekspertë ndërkombëtarë, të cilët kanë ardhur për të ndihmuar Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë.
“SPAK-u nuk drejtohet nga ne. Janë ekspertë ndërkombëtarë që kanë ardhur dhe kanë thënë qartë: ne do ta heqim korrupsionin nga Shqipëria. Ky vend ka qenë i mbytur nga korrupsioni dhe të gjithë e dinë këtë, përfshirë edhe median”, u shpreh Ngjela.
Ai nënvizoi se tashmë drejtësia ka nisur të veprojë, duke përmendur ministra dhe ish-zyrtarë të lartë që janë nën hetim apo gjykim, dhe se edhe rasti i 21 Janarit duhet të trajtohet me të njëjtën vendosmëri.
“Nuk ka më kthim pas. Tani do të shohim edhe dënime”, përfundoi Ngjela, duke lënë të kuptohet se hetimet për ngjarjen e 21 Janarit mund të sjellin pasoja penale për përgjegjësit në nivelet më të larta.
