Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer në qendër të debatit çështjen e Groenlandës gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke deklaruar se ishulli strategjik duhet të ishte marrë nga Shtetet e Bashkuara që në Luftën e Dytë Botërore.
Sipas Trump, Groenlanda përbën një pikë kyçe gjeopolitike dhe aktualisht është e rrezikuar nga ambiciet e Kinës dhe Rusisë. Ai u shpreh se Danimarka ka treguar historikisht se nuk ka qenë në gjendje ta mbrojë territorin, duke kujtuar pushtimin gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Kur Danimarka ra nën pushtimin gjerman, nuk ishte në gjendje të mbronte as veten, e jo më Groenlandën. Ishin Shtetet e Bashkuara që dërguan forcat ushtarake dhe e mbrojtën ishullin. Që atëherë, Groenlanda duhej të ishte nën zotërimin amerikan,” deklaroi Trump.
Ai theksoi se asnjë vend tjetër nuk ka kapacitetin ushtarak dhe strategjik për të garantuar sigurinë e Groenlandës si SHBA-të. “Vetëm Amerika mund ta mbrojë realisht Groenlandën. Ne jemi një fuqi e madhe dhe kemi provuar këtë në histori,” u shpreh ai.
Deklaratat e Trump pritet të ringjallin debatet ndërkombëtare mbi statusin e Groenlandës dhe interesat strategjike në Arktik, një zonë gjithnjë e më e rëndësishme për balancat globale të fuqisë.
