Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), e cila e shpalli të pafajshëm për veprën penale të shpifjes në çështjen e ngritur nga Adriatik Lapaj, duke e dënuar vetëm me gjobë administrative për fyerje.
I ftuar në një studio televizive, Shehaj u shpreh se vendimi i gjykatës konfirmon se deklaratat e tij nuk përbëjnë shpifje dhe se ai e pranon gjobën, duke theksuar se “të thuash të vërtetën ka një kosto”.
“Gjykata vendosi që unë nuk kam shpifur. U vendos vetëm një gjobë për fyerje dhe unë jam i gatshëm ta paguaj. Të thuash të vërtetën ka një kosto dhe unë jam i lumtur ta mbaj këtë kosto,” deklaroi Shehaj.
Ai përsëriti akuzat ndaj Adriatik Lapajt, duke thënë se ky i fundit ka marrë para nga krimi i organizuar dhe është pjesë e një sistemi të korruptuar, përmes të cilit ka përfituar prona dhe mbështetje politike.
“Sipas meje dhe sipas asaj që dihet gjerësisht, Lapaj ka marrë para nga krimi i organizuar. Këtë e dinë politikanët dhe mediat, por shumica zgjodhën të heshtin. Unë nuk zgjodha të hesht,” u shpreh Shehaj.
Shehaj theksoi se deklaratat e tij kanë qenë në interes të publikut dhe se pretendimi se Lapaj është ndier i fyer është i pabazë. Sipas tij, padia në gjykatë kishte për qëllim krijimin e një “certifikate pastërtie” politike.
“Ai shkoi në gjykatë për të marrë një certifikatë pastërtie. Unë bëra atë që duhej bërë për interesin publik,” shtoi ai.
Në vijim, Shehaj u shpreh kritik ndaj bashkimeve politike “me çdo kusht”, duke paralajmëruar qytetarët që të tregojnë kujdes ndaj figurave populiste dhe strukturave që qëndrojnë pas tyre.
“Problemi i Shqipërisë nuk është vetëm qeveria, por edhe fakti që krimi i organizuar është i pranishëm në të gjithë spektrin politik, edhe në opozitë. Nuk mund të bëhemi bashkë me këdo, vetëm për pushtet,” përfundoi Shehaj.
