Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik ka ngritur alarmin për një valë të re mashtrimesh që po qarkullojnë përmes mesazheve SMS dhe faqeve të rreme në internet, të cilat imitojnë Policinë e Shtetit dhe synojnë vjedhjen e të dhënave personale dhe bankare të qytetarëve.
Sipas njoftimit zyrtar, qytetarëve u dërgohen mesazhe që pretendojnë se kanë marrë një gjobë automjeti. Mesazhet përmbajnë lidhje që i drejtojnë përdoruesit drejt faqeve false, të ndërtuara për t’u dukur si faqe zyrtare institucionale, me logo, imazhe dhe elemente grafike që krijojnë besueshmëri të rreme.
Në fazën e parë, përdoruesve u kërkohet të vendosin numrin e telefonit për “verifikim identiteti”. Më pas kërkohet numri i targës së automjetit dhe në hapin final të dhënat bankare, me pretendimin për pagesën e një gjobe. Autoritetet sqarojnë se ky është një mashtrim i pastër kibernetik, i njohur si “phishing”, që synon përfitime të paligjshme dhe mund të sjellë humbje financiare serioze.
Policia thekson se asnjëherë nuk kërkon pagesa gjobash apo konfirmim identiteti përmes SMS-ve ose faqeve jozyrtare. Qytetarët këshillohen të mos klikojnë lidhje të dyshimta, të mos japin të dhëna personale apo bankare dhe të verifikojnë çdo informacion vetëm përmes kanaleve zyrtare.
Në rast dyshimi ose mashtrimi, qytetarët ftohen të raportojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit. Autoritetet deklarojnë se po punojnë për identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve të këtyre mashtrimeve digjitale.
