Kompjuteri i ish-drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, është tentuar të hakërohet plot 425 herë gjatë periudhës shkurt–mars të vitit të kaluar. Detajet janë zbuluar nga gazetarja Klodiana Lala, e cila këtë të martë ka sjellë informacione të reja nga dosja hetimore që lidhet me hakërimin e kompjuterëve dhe e-maileve të disa prokurorëve të SPAK.
Për këtë çështje akuzohen Agim Ismaili, ish-drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, si dhe dy persona të tjerë të lidhur me të, Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj. Hetimet kanë ngritur dyshime serioze se qëllimi i hakërimeve ishte sigurimi i informacioneve të klasifikuara dhe dosjeve sensitive të hetimeve të SPAK.
Sipas dosjes hetimore, interes i veçantë ka qenë nëse ekzistonte ndonjë hetim i hapur ndaj eprorit të Ismailit, ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja. Tentativat e shumta për akses të paautorizuar tregojnë, sipas hetuesve, një përpjekje të qëllimshme dhe të vazhdueshme për të depërtuar në sistemet e prokurorisë.
Gjithçka nisi të zbulohej nga veprimtaria e Zambak Gjonit, ish-punonjës i Drejtorisë së Burgjeve dhe më pas i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit. Ai rezultoi se zotëronte materiale hetimore me vulë “sekret”, të cilat nuk duhej t’i kishte në posedim.
Në mars të vitit 2025, Gjoni i kishte dërguar një pjesë të këtyre materialeve një gazetari, me qëllim publikimin në një portal mediatik. Ky veprim u konsiderua shumë i rëndë, pasi bëhej fjalë për dokumente që ishin ende në hetim dhe publikimi i tyre përbënte shkelje penale. Gazetari, sapo u njoh me përmbajtjen dhe natyrën e dokumenteve, njoftoi menjëherë SPAK-un.
Pas këtij sinjalizimi, SPAK nisi një hetim të brendshëm për të zbuluar se si kishin rrjedhur këto informacione. Për rastin u vu në dijeni edhe vetë Altin Dumani, i cili urdhëroi zgjerimin e hetimeve për të identifikuar burimin e rrjedhjes së të dhënave.
Sipas dosjes, më 12 mars 2025, Dumani informoi prokurorin e çështjes se Zambak Gjoni i kishte dërguar administratorit të një portali informacione të detajuara lidhur me procedimin penal nr. 277/1 të vitit 2022. Ky procedim lidhej me aferën e inceneratorit të Elbasanit dhe përfshinte emra të njohur si ish-ministri Lefter Koka, Alqi Bllako, Stela Gugallja, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.
Materialet që Gjoni kishte shpërndarë përkonin plotësisht me ato që ndodheshin në pajisjet e prokurorit që po hetonte çështjen, çka forcoi dyshimet se informacionet ishin siguruar përmes hakërimit të e-maileve dhe pajisjeve elektronike të prokurorëve.
Hetimet po përpiqen të zbardhin nëse qëllimi i të akuzuarve ishte thjesht kurioziteti, siç ata kanë pretenduar në deklarimet e tyre, apo nëse synimi real ishte shantazhimi i personave nën hetim duke përdorur materiale sekrete të drejtësisë.
