Dëshmi tronditëse vjen nga gjyshja e tre fëmijëve të mitur në Durrës, rasti i të cilëve ka prekur opinionin publik. Në një lidhje telefonike, ajo rrëfeu mes lotësh momentin kur u përball me kushtet e rënda në të cilat jetonin nipërit e saj.
Gjyshja tregoi se kishte shkuar rastësisht për t’i takuar fëmijët, duke menduar se nëna e tyre do të ishte në shtëpi, por ajo që pa e tronditi thellë.
“Kam jetuar 33 vite në Itali. U ktheva në Durrës dhe shkova t’i takoja nipërit. Mendova se nusja do ishte aty, se do kishte pastruar. Hapa derën dhe ma hapi djali i dytë. Pashë bidona, ndjeva një erë shumë të keqe. U shokova,” – tregoi ajo.
Sipas gjyshes, fëmijët ndodheshin të mbuluar me batanije në shtrat, në kushte të ftohta dhe pa kujdes.
“Çuni i madh më tha: ‘nëna na merr në Itali’. I dridhej mjekra nga i ftohti. Çfarë kam parë aty, as në televizor s’e kisha parë. Hyra në banjo dhe u trondita edhe më shumë,” – tha ajo mes lotësh.
Ajo shtoi se i pyeti fëmijët nëse kishin para dhe nipi i madh i tregoi se kishte vetëm 50 mijë lekë, ndërsa ajo u dha para për t’i ndihmuar.
Rasti është nën verifikim nga institucionet përkatëse, ndërsa fëmijët ndodhen aktualisht nën kujdes mjekësor dhe social.
