Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zbuluar datën e protestës kombëtare më 22 Dhjetor, duke lëshuar një paralajmërim të drejtpërdrejtë për strukturat dhe mbështetësit demokratë: kush nuk është i gatshëm të përfshihet në aksionin protestues, duhet të tërhiqet.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, Berisha theksoi se protesta ka një objektiv të qartë politik, krijimin e një qeverie teknike, e cila sipas tij është e vetmja rrugë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Çdo njëri nga ju duhet t’ia bëjë vetes këtë pyetje: çfarë do bëjmë ne? A do të përpiqemi të rikthejmë votën dhe të largojmë këtë qeveri nga pushteti, e cila me votë absolutisht nuk largohet?”, u shpreh Berisha.
Ai akuzoi qeverinë se mbahet në pushtet përmes një lobimi të shtrenjtë ndërkombëtar, duke përmendur edhe reagime të mediave dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë, të cilat sipas tij nuk janë spontane, por të paguara.
“Nuk thuhet asnjë fjalë për drogën, asnjë fjalë për narkoshtetin. Këto janë deklarata të paguara. Por çfarë kërkojnë të gjitha këto nga ne? Që të mos filozofojmë, por të përqendrojmë të gjitha forcat për largimin e këtij pushteti të krimit”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, nëse opozita nuk vepron tani, zgjedhjet e ardhshme do të deformohen edhe më shumë. Për këtë arsye, ai bëri thirrje që protesta të shihet si mjeti kryesor i reagimit politik.
“Duhet t’i besojmë protestës. Duhet t’i organizojmë dhe t’i fillojmë sa më parë. Me datën 22 Dhjetor thërrasim protestë kombëtare. Ata shqiptarë që vijnë, janë të bekuar. Ata që nuk do vijnë, do vijnë më vonë”, u shpreh ai.
Berisha nënvizoi se Partia Demokratike nuk do të ndalë aksionin opozitar deri në realizimin e objektivit final.
“Ne kurrë nuk do të bëhemi pengesë, përkundrazi do të jemi nxitës të protestave deri ditën e fundit, derisa të krijohet qeveria teknike për zgjedhje të lira. Agjendë tjetër nuk ka dhe nuk mund të ketë PD”, përfundoi Berisha.
