Një zhvillim i rëndë ka tronditur debatin publik mbi sistemin e drejtësisë në Shqipëri, pas konfirmimit nga Prokuroria e Përgjithshme të dokumenteve që provojnë dënimin e gjyqtares Irena Gjoka në Greqi.
E ftuar në një emision televiziv, avokatja Adriana Kalaja bëri akuza të forta, duke deklaruar se është kërcënuar drejtpërdrejt dhe indirekt nga gjyqtarja Irena Gjoka dhe persona të lidhur me të. Sipas Kalasë, kërcënimet kanë qenë të stilit mafioz, me mesazhe paralajmëruese se ajo “do të hiqej qafe” për shkak të denoncimeve publike dhe ligjore.
Kalaja u shpreh se gjyqtarja Gjoka dyshohet për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë:
- falsifikim të formularëve të vetëdeklarimit në të paktën tre raste;
- fshehje të dënimit penal në Greqi;
- mosdeklarim të dy urdhrave të dëbimit nga shteti grek;
- mohimin e vazhdueshëm të këtyre fakteve, edhe gjatë procesit të Vetingut dhe gjatë gjykimit të çështjes së Sali Berishës në vitin 2024.
Sipas saj, bëhet fjalë për vendime gjyqësore të viteve 2004–2005, të cilat janë mohuar sistematikisht nga gjyqtarja, edhe në formularët e plotësuar gjatë emërimeve dhe komandimeve të mëvonshme në sistemin e drejtësisë.
Avokatja theksoi se denoncimi fillestar u bë nga Partia Demokratike dhe Grupi Parlamentar i saj, ndërsa më pas u mbështet nga investigime të mediave greke. Ajo ngriti shqetësimin për standarde të dyfishta në drejtësi, duke krahasuar rastin e gjyqtares Gjoka me raste të tjera, ku zyrtarë të drejtësisë janë shkarkuar dhe dënuar për shkelje shumë më të lehta.
Kalaja deklaroi se, pavarësisht se provat janë depozituar zyrtarisht në gjykatë dhe në organet kompetente që në pranverën e vitit 2024, kërkesat për përjashtimin e gjyqtares janë rrëzuar vazhdimisht. Ajo shtoi se presioni, shantazhi dhe sulmet ndaj saj, Partisë Demokratike dhe Sali Berishës kanë qenë të vazhdueshme.
Sipas saj, konfirmimi i fundit nga Prokuroria e Përgjithshme pritet të ketë pasoja të rënda për sistemin e drejtësisë, duke vënë në pikëpyetje integritetin e vendimmarrjeve gjyqësore dhe besimin e publikut tek institucionet.
