Policia ka arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes së 57-vjeçarit në aksin rrugor Thumanë–Krujë, si dhe dy persona të tjerë që ndodheshin në vendngjarje.
Në pranga është vënë shtetasi A. V., 28 vjeç, banues në Fushë-Krujë, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me dashje”, pasi dyshohet se ka goditur për vdekje me një send të fortë (çekiç) shtetasin P. N., 57 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Gjithashtu, janë arrestuar edhe shtetasit L. G., 26 vjeç dhe F. K., 23 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi kanë qenë të pranishëm gjatë konfliktit dhe janë larguar pas ngjarjes.
Sipas hetimeve, rreth orës 01:00 të datës 20 janar 2026, tre shtetasit po qarkullonin me një automjet kur u përfshinë në një konflikt verbal me viktimën, e cila udhëtonte me makinën e saj. Konflikti përshkallëzoi në dhunë, duke çuar në goditjen fatale të 57-vjeçarit.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy automjete si dhe mjeti me të cilin dyshohet se është kryer krimi. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
