Në tre muajt e fundit të vitit 2025, Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë një valë inspektimesh ndaj shërbimit noterial në të gjithë vendin. Për periudhën shtator–dhjetor 2025 janë kryer gjithsej 22 inspektime të plota, të nxitura nga ankesat e qytetarëve dhe raportime të ndryshme mediatike.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, janë vendosur 12 masa ndëshkuese, që përfshijnë vërejtje disiplinore, gjoba dhe heqje licence. Ndaj 6 noterëve është marrë masa “vërejtje me paralajmërim për heqjen e licencës për ushtrimin e profesionit”.
Dy noterëve, Frida Muçmatajt dhe Valentin Lleshit, u është hequr licenca, pasi megjithëse kishin mbushur moshën ligjore të daljes në pension, vijonin të ushtronin aktivitetin noterial. Përveç masave disiplinore, janë vendosur edhe gjoba me vlerë totale rreth 6 milionë lekë të vjetra, për shkelje të ndryshme të konstatuara gjatë inspektimeve.
Ministri i Drejtësisë ka paralajmëruar se kontrollet ndaj shërbimit noterial do të vijojnë edhe gjatë vitit 2026. Inspektime të reja janë aktualisht në proces dhe rezultatet e tyre pritet të bëhen publike në muajt në vijim.
Sipas Ministrisë, roli i saj si organ mbikëqyrës i sistemit noterial konsiston në garantimin e ligjshmërisë, transparencës dhe korrektësisë në ushtrimin e këtij funksioni publik, me qëllim rritjen e besueshmërisë së qytetarëve dhe mbrojtjen e interesit publik.
