Detaje të reja janë zbardhur lidhur me vrasjen e 57-vjeçarit Petrit Ndou, ngjarje e ndodhur gjatë natës në aksin rrugor Mamurras–Krujë, në zonën e Bushneshit.
Sipas burimeve policore, konflikti mes viktimës dhe autorit të dyshuar, Andi Vokri, ka nisur për motive të dobëta, fillimisht me një debat verbal. Dyshohet se shkaku ka qenë mënyra e drejtimit të automjetit, me fjalë të tipit: “Pse i jep makinës kështu? Do bëjmë aksident”.
Pas përshkallëzimit të konfliktit, autori dyshohet se e ka goditur 57-vjeçarin me sende të forta, konkretisht me një çekiç, duke i shkaktuar plagë të rënda, nga të cilat viktima ka humbur jetën.
Në njoftimin zyrtar të Policisë thuhet se rreth orës 00:40, në aksin rrugor “Thumanë–Krujë”, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi P. N., 57 vjeç, është goditur me sende të forta dhe për pasojë ka ndërruar jetë.
Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e autorit të dyshuar, si edhe të disa personave të tjerë që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Për shkak të hetimeve në vijim, autoritetet nuk kanë dhënë të dhëna të tjera.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin e rrethanave të vrasjes, ndërsa në përfundim të veprimeve hetimore pritet të jepet informacion i plotë zyrtar.
