Një shtetas shqiptar pritet të marrë sot dënimin në Britaninë e Madhe, pasi u shpall fajtor për tentativë vrasjeje ndaj një oficeri policie.
Liridon Kastrati, 32 vjeç, u deklarua fajtor për sulmin ndaj një oficeri policie, pas një incidenti të rëndë të ndodhur më 6 maj 2024 në Paisley, në zonën e Renfrewshire, Skoci.
Ngjarja ndodhi pak pasi një automjet u përplas me një makinë policie. Sipas hetimeve, Kastrati ndoqi oficerin me një sharrë elektrike, veprim që u cilësua nga gjykata si tentativë vrasjeje. Autoritetet britanike e kanë konsideruar aktin si jashtëzakonisht të rrezikshëm, ndërsa më herët gjykata i kishte bërë të qartë të pandehurit se për këtë vepër do të përballej me një dënim të rëndë.
Çështja u shqyrtua në Gjykatën e Lartë në Glasgow, ku javën e kaluar shpallja e dënimit u shty, pasi nuk ishte përgatitur raporti i shërbimit social të drejtësisë penale. Sipas avokatit mbrojtës, John Scullion, një keqkuptim bëri që takimi me punonjësin social të mos zhvillohej, duke vonuar kështu procedurën.
Avokati theksoi se Kastrati e pranon përgjegjësinë për veprimet e tij dhe se situata nuk është aspak e kënaqshme. Sot pritet që gjykata të japë vendimin përfundimtar lidhur me dënimin e tij.
