Sulme të reja në Ukrainë para Krishtlindjeve, Papa Leoni XIV bën thirrje për armëpushim

Data

Të paktën tre persona kanë humbur jetën nga sulmet ajrore ruse të ditëve të fundit në Ukrainë. Mes viktimave është edhe një fëmijë katërvjeçar, i cili u vra në rajonin Zhytomyr, në perëndim të Kievit, pasi një dron goditi një ndërtesë banimi. Lajmi u konfirmua nga autoritetet ukrainase.

Sipas njoftimeve zyrtare, nga i njëjti sulm u plagosën edhe gjashtë persona të tjerë, mes tyre dy fëmijë. Një tjetër grua humbi jetën nga një sulm me dron në rajonin e Kievit, ndërsa një viktimë tjetër u raportua në rajonin Khmelnytsky. Kryetari i bashkisë së Kievit u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë në strehimet kundërajrore për shkak të rrezikut të vazhdueshëm.

Sulmet po ndodhin në një periudhë me temperatura shumë të ulëta, ndërsa Rusia po intensifikon goditjet ndaj infrastrukturës energjetike. Autoritetet ukrainase bëjnë të ditur se në sulmet e fundit janë përdorur qindra dronë dhe raketa të telekomanduara. Mbrojtja ajrore ka rrëzuar një pjesë të tyre, por dëmet dhe humbjet njerëzore nuk janë shmangur.

Presidenti ukrainas ka deklaruar se këto sulme po kryhen në prag të Krishtlindjeve, në një kohë kur njerëzit kërkojnë siguri dhe qetësi pranë familjeve të tyre. Ai theksoi se Rusia nuk po tregon shenja për ndaljen e luftës dhe se presioni ndërkombëtar duhet të rritet për t’i dhënë fund konfliktit.

Në këtë kontekst, Papa Leoni XIV i bëri thirrje Rusisë që të respektojë të paktën një armëpushim 24-orësh gjatë festës së Krishtlindjes. Ai u shpreh se refuzimi i një armëpushimi është tronditës dhe u bëri thirrje të gjithë njerëzve me vullnet të mirë që të mbështesin paqen, jo vetëm në Ukrainë, por kudo në botë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related