“Agasi i Ramës mori shishet me verë” – Maliqi sfidon SPAK-un: A ishte Rama aty apo jo? Nxirrni videot!

Data

Tonalitet i ashpër dhe akuza shpërthyese kanë shoqëruar fjalën e Lefter Maliqit në Foltoren përpara Kryeministrisë, ku ai deklaroi se objektivi i vetëm i opozitës dhe qytetarëve është rrëzimi i asaj që e cilësoi si “regjim i kalbur nga korrupsioni dhe krimi”.

Maliqi akuzoi qeverinë se po përdor paratë e krimit dhe korrupsionit për lobime ndërkombëtare kundër opozitës, ndërsa vendi, sipas tij, po shkatërrohet nga braktisja e shëndetësisë, arsimit dhe sigurisë publike.

“Lekët e krimit i ka për të blerë ndërkombëtarë, për të lobuar kundër opozitës. I ka për rrugë miliarda euro që janë copë-copë, i ka për banditë dhe oligarkë. Ndërkohë spitale dhe qendra shëndetësore mbyllen, shkolla boshatisen dhe krimi i organizuar lulëzon kudo”, deklaroi ai.

Duke iu referuar ngjarjeve të rënda të fundit, Maliqi përmendi vrasjen në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, skandalet e krimit elektoral dhe incidentin e rëndë në aeroportin e Rinasit, duke ngritur pikëpyetje serioze për sigurinë dhe përgjegjësinë shtetërore.

Në kulmin e fjalës së tij, Maliqi hodhi akuza të drejtpërdrejta lidhur me një personazh të përfolur pranë kryeministrit, duke kërkuar transparencë totale nga SPAK.

“Agasi i famshëm i Ramës mori shishet me verë. Pse SPAK nuk tregon çfarë videosh ka? Ka qenë Rama aty apo nuk ka qenë? Ka video orgjish apo video pazaresh për këtë bandit?”, tha Maliqi, duke kërkuar publikimin e plotë të provave që, sipas tij, ndodhen në duart e prokurorisë.

Ai theksoi se heshtja e institucioneve të drejtësisë vetëm sa rrit dyshimet dhe zemërimin qytetar, duke e cilësuar situatën aktuale si të papranueshme për një shtet që pretendon demokraci dhe sundim të ligjit.

Në përfundim, Maliqi u bëri thirrje shqiptarëve të dalin masivisht në protestën e 24 janarit, duke e cilësuar atë si një moment vendimtar për përballjen qytetare kundër korrupsionit, krimit dhe pandëshkueshmërisë.

“Ky regjim nuk largohet me fjalë, por me qëndresë. Më 24 janar, shqiptarët duhet të jenë në këmbë”, përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related